Secondary Adv

Shqipëria ndër tregjet më të shtrenjta të energjisë në rajon, 14 për qind mbi Greqinë

Çmimi i energjisë në Shqipëri arriti në 118.2 euro/MWh gjatë vitit 2025, duke tejkaluar shumicën e tregjeve fqinje.

Shqipëria ishte ndër vendet me çmimet më të larta të energjisë elektrike në tregun me shumicë gjatë vitit 2025, duke regjistruar një mesatare prej 118.2 euro për megavatorë (MWh), rreth 14% më shumë se Greqia dhe 9.5% më shumë se Maqedonia e Veriut.


Të dhënat vijnë nga raporti i fundit i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë (ACER), të cilin e disponon ekofin.al dhe që analizon integrimin e tregjeve europiane të energjisë dhe diferencat e çmimeve ndërmjet vendeve.


Sipas raportit, çmimi mesatar në Shqipëri u rrit me 6.2 euro/MWh krahasuar me vitin 2024, ndërsa në Greqi rritja ishte vetëm 2.7 euro/MWh. Si rezultat, diferenca ndërmjet dy tregjeve u zgjerua më tej gjatë vitit 2025, duke e pozicionuar Shqipërinë ndër tregjet me kostot më të larta të energjisë në rajon.


Shqipëria me çmim 118.2 euro/MWh, vetëm Kosova rezulton më e shtrenjtë

Në Greqi, çmimi mesatar i energjisë në tregun e një dite përpara ishte 103.6 euro/MWh, ose 14.6 euro më i ulët se në Shqipëri. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi çmimi mesatar ishte 107.9 euro/MWh, në Bullgari 106.9 euro/MWh dhe në Mal të Zi 113.3 euro/MWh.


Kosova rezultoi me çmimin më të lartë ndër këto tregje, duke regjistruar një mesatare prej 118.5 euro/MWh, vetëm 0.3 euro më shumë se Shqipëria.


ACER evidenton se vendet e Ballkanit Perëndimor që bëjnë pjesë në Komunitetin e Energjisë mbetën ndër tregjet më të shtrenjta të rajonit. Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi regjistruan çmime rreth 10–15 euro/MWh më të larta se vendet fqinje të Bashkimit Evropian.


Rritja e çmimeve gjatë vitit 2025 ishte e përgjithshme në rajon, por me ritme të ndryshme. Mali i Zi regjistroi rritjen më të madhe, prej 14.8 euro/MWh, ndërsa në Kosovë çmimi u rrit me 4.5 euro/MWh, në Maqedoninë e Veriut me 5.5 euro/MWh dhe në Serbi me 6.1 euro/MWh.


Tregjet e pabashkuara të energjisë krijojnë diferenca të mëdha çmimesh

Një nga problematikat kryesore që evidenton ACER është mungesa e integrimit të plotë të tregjeve të energjisë në Evropën Juglindore, e cila ndikon në ruajtjen e diferencave të çmimeve ndërmjet vendeve.


Në tregjet e Bashkimit Evropian që janë tashmë të bashkuara, çmimet rezultojnë të përafërta në një pjesë të madhe të orëve të vitit. Ndërsa në kufijtë ku tregjet nuk janë bashkuar, diferencat mbeten më të mëdha, duke reflektuar kufizimet në funksionimin e tregtisë ndërkufitare të energjisë elektrike.


Shqipëria paraqet një kontrast të dukshëm në këtë drejtim. Me Kosovën, ku funksionon tregu i përbashkët i energjisë, çmimet kishin një diferencë më të vogël se 1 euro/MWh në 99% të orëve gjatë vitit 2025. Në kufirin me Malin e Zi, kjo përputhje u regjistrua vetëm në 4% të orëve, ndërsa me Greqinë në vetëm 3%.


Këto të dhëna tregojnë se tregu i përbashkët Shqipëri–Kosovë ka një përputhje shumë më të lartë të çmimeve, ndërsa diferencat me tregjet e tjera fqinje mbeten të konsiderueshme.


Mungesa e integrimit kufizon shkëmbimet efikase të energjisë

Agjencia evropiane shpjegon se, kur tregjet nuk janë të bashkuara, shkëmbimet e energjisë ndërmjet vendeve planifikohen përpara se të njihen çmimet përfundimtare për ditën pasardhëse.


Kjo mënyrë tregtimi mund të pengojë përdorimin efikas të kapaciteteve ndërkufitare dhe të krijojë situata kur energjia nuk shkëmbehet në drejtimin ekonomikisht më të favorshëm. Si pasojë, diferencat e çmimeve ndërmjet vendeve mund të mbeten të larta edhe kur ekzistojnë mundësi për shkëmbime tregtare.


Sipas ACER, integrimi i mëtejshëm i tregjeve dhe rritja e kapaciteteve të disponueshme për tregtinë ndërkufitare mund të ndihmojnë në afrimin e çmimeve të energjisë ndërmjet vendeve të rajonit.


Çmimet e tregut me shumicë nuk janë tarifat që paguajnë konsumatorët

Të dhënat e raportit të ACER u referohen çmimeve të energjisë elektrike në tregun me shumicë dhe jo tarifave që paguajnë drejtpërdrejt familjarët apo bizneset. Për këtë arsye, diferencat e regjistruara ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve fqinje nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht diferenca të njëjta në faturat e konsumatorëve fundorë.


Megjithatë, çmimet e tregut me shumicë japin një tregues të rëndësishëm të kostove të energjisë dhe konkurrueshmërisë së tregut shqiptar në raport me vendet fqinje.


Me një çmim mesatar prej 118.2 euro/MWh gjatë vitit 2025, Shqipëria mbetet ndër tregjet më të shtrenjta të energjisë elektrike në rajon. Raporti i ACER evidenton se integrimi i mëtejshëm i tregjeve dhe përmirësimi i kushteve për shkëmbimet ndërkufitare janë faktorë që mund të ndikojnë në zvogëlimin e diferencave të çmimeve.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat